Granit Xhaka firmos me skuadrën e re, kontratë deri në 2028

Pas 7 vitesh në Londër, Granit Xhaka rikthehet sërish në Bundesligën gjermane.

Mesfushori shqiptar i kombëtares së Zvicrës ka firmosur me Bayer Leverkusen, duke bërë kështu hapin e radhës në karrierën e tij.

Pritja e tifozëve të “aspirinave” ka qënë e madhe, teksa prisnin firmën e 30-vjeçarit në kontratën me gjermanët. Lojtari që ishte kthyer shpesh në mollë sherri për tifozët londinez firmosi deri në qershorin e vitit 2028, ndërsa për kartonin e tij, Leverkusen pagoi 25 milionë euro. Largimi i kapitenit u përshëndet edhe nga faqja e Arsenalit, që e kishte graduar kapiten në eksperiencën e tij te “Topçinjtë”.

“E njoh mirë kampionatin dhe e kam parë kur isha në Londër. Bayer është një klub me histori mbresëlënëse dhe objektiva ambiciozë. Mbi të gjitha, unë e shoh atë si një klub me të ardhme të madhe. Jam këtu për shumë vite” u shpreh Xhaka për faqen zyrtare të klubit gjerman.

Pas 297 paraqitjeve me fanellën e Arsenalit, Xhaka është gati tashmë për të luajtur sërish në Bundesligë, ku u aktivizua në radhët e Gladbach për dy sezone.

Mesfushori luajti në 140 ndeshje me këto të fundit, teksa që nga shtatori 2018 mban edhe shiritin e kapitenit tek kombëtarja e Zvicrës, ku është aktivizuar në 115 sfida. Në periudhën shtatëvjeçare me skuadrën londineze, Xhaka fitoi dy trofe FA Cup, për t’ia shtuar titujve të dyfishtë me Baselin në Superligën zviceriane.