Grabitja për Krishtlindje/ Reagon One: Ndërpremë kontratën me Nazeri, autorët qëndruan 23 minuta në godinë, nuk patëm dëme
Kompania telefonike “One Albania” konfirmon detajet ekskluzive që Replikë.al raportoi dje në lidhje me grabitjen e zyrave të One në Laprakë. Ashtu siç ne raportuam, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e Krishtlindjeve.
Në një reagim për mediat, One njofton se ka ndërprerë kontratën me Nazeri 2000, të cilës i faturon mosraportimin e ngjarjes dhe mungesën e identifikimit të autorëve. One thekson se nga hyrja nuk ka patur dëme, përveç dëmtimit të drynit të hyrjes së pasme të godinës së One në Laprakë.
REAGIMI I PLOTË:
DEKLARATË ZYRTARE NGA ONE ALBANIA
Refuzim i pretendimeve të rreme të publikuara në shtyp për një hyrje të paautorizuar në zyrat e kompanisë, në Laprakë.
Në përgjigje të informacioneve të rreme, të gabuara dhe keqinformuese, të publikuara në shtypin dhe mediat shqiptare ditët e fundit, One Albania me anë të kësaj deklarate publikon të dhëna të disponueshme aktualisht për publikun mbi hetimin e brendshëm të kompanisë, i cili është urdhëruar të kryhet menjëherë pasi incidenti u bë i njohur. Krahas ekzaminimit, është dhënë urdhër të merren masa të menjëhershme, të rrepta në funksionimin dhe menaxhimin e One Albania.
Janë marrë masat e nevojshme për të ndërprerë kontratën e kompanisë ofruese të shërbimit të sigurisë, e cila nuk ka njoftuar për hyrjen e paligjshme dhe për më tepër nuk ka bërë kallëzim në polici. Krahas këtyre veprimeve, drejtuesit tanë, profesionistët e sigurisë dhe të çështjeve ligjore vazhdojnë hetimet e brendshme për të përcaktuar dhe identifikuar përgjegjësit dhe ata që kanë shkelur procedurat që duhet të ndiqeshin në një incident si ky.
Faktet janë si më poshtë.
Një hyrje e paautorizuar me forcë fizike ka ndodhur ditën e Krishtlindjeve, 25 dhjetor 2024, rreth orës 2:30 të mëngjesit në një nga zyrat e One Albania, në Laprakë. Dy persona të maskuar kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në këto ambiente dhe kanë kaluar 23 minuta e 8 sekonda në disa korridore, para se të dilnin nga godina. Një roje sigurie i kontraktuar në detyrë, në këtë godinë, pavarësisht faktit se ishte regjistruar teksa ecte dhe kontrollonte, nuk arriti të zbulonte as personat që u futën të paautorizuar, as derën e dëmtuar të përdorur për hyrje të paligjshme. Pamjet e sigurisë kapën të gjithë kohëzgjatjen e incidentit, gjë që konfirmon se personat u tërhoqën nga ndërtesa pa marrë asgjë, pa bërë ndonjë dëmtim apo vandalizëm dhe pas kontrolleve të brendshme të imtësishme nuk u raportua mungesa e ndonjë sendi.
One Albania zbardh të vërtetën në lidhje me ngjarjen e Laprakës si më poshtë: Kamerat e sigurisë ishin plotësisht funksionale dhe bënë regjistrimin e pamjeve të qarta që ndihmuan në rishikimin e incidentit.
Regjistrimet e kamerave të sigurisë janë të plota, të arkivuara dhe të disponueshme për policinë. I vetmi dëm fizik i identifikuar ishte dryni i derës së pasme, i cili u riparua menjëherë.
Nuk ka patur ndërhyrje të paautorizuar në asnjë nga serverët tanë, të dhënat konfidenciale të biznesit apo ato financiare. Dhoma e serverit rreptësisht e siguruar u kontrollua dhe nuk ka patur asnjë hyrje, apo përpjekje për hyrje në atë zonë. Në asnjë moment infrastruktura jonë digjitale nuk është kompromentuar, dëmtuar apo vandalizuar.
Infrastruktura jonë e rrjetit mbeti e paprekur dhe e sigurt, pa asnjë ndërhyrje të regjistruar. Kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje apo përkatësi politike dhe në asnjë mënyrë nuk ka lidhje me ndonjë çështje tjetër juridike. Çdo pretendim që hamendëson të kundërtën është plotësisht i pabazuar.
Në kuadër të procedurave tona të brendshme janë marrë masa paraprake disiplinore ndaj punonjësve, që nuk respektuan protokollin dhe nuk arritën të përshkallëzojnë incidentin te drejtuesit e lartë. Gjithashtu, One Albania mori masat e nevojshme për të ndërprerë kontratën me kompaninë e sigurisë, përgjegjëse për ruajtjen e ambienteve. Sistemet tona kanë mbetur të sigurta dhe plotësisht funksionale gjatë gjithë kohës.
Ne mbetemi të përkushtuar për transparencë dhe jemi në dispozicion për çdo hetim të mëtejshëm./Replika.al