Grabitja e Rinasit, Klement Çala futet në regjimin 41 bis

Klement Çala futet në regjimin 41-bis. Çala është dënuar për grabitjen e Rinasit më 9 prill 2019, teksa ishte pjesë e bandës së Admir Murataj.

SPAK ka kërkuar që Çala të dënohet me 20 vite burg për grabitjen e Rinasit. Çala rezulton i dënuar për grabitjen e 4.6 milionë eurove në pistën e Aeroportit “Nënë Tereza”.

Kjo nuk është hera e parë që ky person futet në regjimin 41-bis. Klement Çala është dënuar nga gjykata e posaçme në korrik 2023 si një nga autorët e grabitjes së Rinasit.

Kështu, ka shkuar në nëntë numri i të burgosurve në regjimin e ashpër që gjendet në burgun e sigurisë së Lartë në Peqin.

Deklaratë për Shtyp

Në zbatim të urdhrit të Ministrit të Drejtësisë nr. 639, datë 17.12.2024, i burgosuri Klement Çala është transferuar në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të sigurisë së lartë. Masa është marrë pas një vlerësimi të hollësishëm nga autoritetet përgjegjëse, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e lartë të të dënuarit.

Klement Çala është dënuar me disa vendime gjyqësore të formës së prerë për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë:

– “Vjedhje me armë”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal;
– “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve dhe municioneve”;
– “Grup i strukturuar kriminal”;
– “Falsifikim i dokumenteve”;
– “Vrasje në rrethana të tjera të cilësuara”, ndaj punonjësve të policisë e mbetur në tentativë”, e kryer në bashkëpunim;
– “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;
– “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Për këto vepra penale, i burgosuri është dënuar me 20, 25 dhe 5 vite burgim, sipas vendimeve të Gjykatës së Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar dhe Gjykatave të tjera përkatëse.