Grabiti 10 mijë euro në një studio ligjore, arrestohet 42-vjeçari me rrezikshmëri të lartë

Policia ka vënë në pranga një 42-vjeçar, i shpallur në kërkim për një grabitje të ndodhur dy vite më parë në një studio ligjore në bulevardin “Gjergj Fishta” në Tiranë.

Ai dyshohet se, në bashkëpunim me një çift bashkëshortësh, vodhi një shumë prej 10 mijë eurosh.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se 42-vjeçari me iniciale E.(F.) L., i cili cilësohet si me rrezikshmëri të lartë shoqërore, është lokalizuar dhe arrestuar pas një operacioni të koduar “Kodi”, në bashkëpunim me Komisariatin Nr.2 të Policisë së Tiranës.

Sipas hetimeve, grabitja kishte ndodhur në vitin 2023, ndërsa ndaj tij është dhënë masa e sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Tiranës për veprën penale “Vjedhja me pasoja të rënda, e kryer në bashkëpunim”.