Grabitësi i argjendarisë i arrestuar në Spanjë, por “peng” i martesës në Francë – si po shmang ekstradimin 35-vjeçari Shqiptar

Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Ermir Hebovijën, 35 vjeç, i akuzuar për “Vjedhje me armë”, të mbetur në tentativë dhe kryer në bashkëpunim. Ai dyshohet se më 13 nëntor 2012, së bashku me dy persona të tjerë ende të paidentifikuar, tentoi të grabiste një argjendari në Shkodër nën kërcënimin e armës, ku mbeti i plagosur lehtë vëllai i pronarit.

Hebovija u arrestua në maj 2024 në Spanjë, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar, por ekstradimi i tij drejt Shqipërisë është zvarritur për shkak të martesës me një shtetase franceze dhe faktit që ka tre fëmijë me të. Procesi vijon të ndërlikohet për shkak të procedurave të autoriteteve franceze, të cilat duhet të miratojnë ekstradimin.

Sipas hetimeve të kryera nga policia e Shkodrës dhe Europol, Hebovija dhe bashkëpunëtorët e tij ishin të maskuar dhe të armatosur gjatë grabitjes së dështuar në lagjen “Fahri Ramadani” të Shkodrës. Për këtë ngjarje, Gjykata e Shkodrës në shkurt 2024 i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale:
• Vjedhje me armë, mbetur në tentativë dhe kryer në bashkëpunim
• Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake

Nëse ekstradohet dhe shpallet fajtor, Hebovija rrezikon një dënim nga 10 deri në 20 vite burg. Në rast të pamundësisë së ekstradimit, procesi gjyqësor do të vijojë në mungesë.