Gonzato: KLSH duhet të jetë e pavarur dhe të kontrollojë çdo qindarkë publike, përfshirë fondet e BE! Gur themeli për integrimin
Në ceremoninë e 100-vjetorit të krijimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi rëndësinë jetike që ka një institucion i fortë dhe i pavarur i auditimit për rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij, Gonzato deklaroi se ligjësia e BE-së kërkon që institucione si KLSH të kenë pavarësi të plotë, burime të mjaftueshme dhe mandat të gjerë për të ushtruar kontroll mbi të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet publike, përfshirë fondet që vijnë nga BE dhe donatorë të tjerë.
“Çfarëdo ndryshimesh që do të bëhen duhet të jenë në përputhje të plotë me standardet dhe kërkesat e BE-së,” u shpreh Ambasadori, duke shtuar se një KLSH efektive dhe transparente është “gur themeli për mirëqeverisjen dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”
Ai përgëzoi institucionin për përparimin ndër vite dhe theksoi rolin që luan KLSH në parandalimin e mashtrimeve, identifikimin e parregullsive në prokurime publike dhe rritjen e kontrollit të brendshëm në administratë. Megjithatë, ai paralajmëroi se ndonëse situata është përmirësuar, ende ka shumë hapësirë për progres.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për ndryshime ligjore apo për dhënien e rekomandimeve. Sfida më e madhe është ndryshimi i mendësisë,” deklaroi Gonzato.
Ai mbylli fjalën duke theksuar se një KLSH e pavarur, e besueshme dhe efektive është thelbësore për ndërtimin e një kulture të llogaridhënies dhe transparencës në administratën publike shqiptare.