Nga Janari deri në Shtator të këtij viti vendi ka pritur rreth 1.1 milionë vizitorë në sitet arkeologjike e kulturore, duke shënuar një rritje prej 35% më shumë krahasuar me vitin 2023.
Nga kalatë, muzetë plot histori dhe deri tek parqet arkeologjike, viti 2024 ka shënuar rekorde historike për turizmin kulturor në Shqipëri, shifrat janë publikuar nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Sipas shifrave zyrtare, përgjatë periudhës Janar-Shtator 2024 nga vizitorë të turizmit kulturor pati 40% më shumë turistë të huaj dhe 31% më shumë vizitorë vendas.
Tre destinacionet më të preferuara nga vizitoret janë: Kalaja e Gjirokastrës që kryeson listën me 196,515 vizitorë; Parku Kombëtar i Butrintit me 127,753 vizitorë dhe Muzeu “Gjergj Kastrioti” në Krujë me mbi 100 mijë vizitorë.
Rritja e interesit të vizitorëve në sitet arkeologjike e kulturore përkthehet edhe në të ardhura, duke arritur në 394 milionë Lekë ose rreth 41% më shumë se një vit më parë, sipas Ministrise se Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Tashëgimia historike e kulturore e vendit ofron potencial të konsiderueshëm dhe mbetet një nga arsyet kryesore të turistëve që zgjedhin Shqipërinë përgjatë gjithë vitit.