Goli fantastik ndaj Chelsea, Karim Benzema drejt rekordeve me fanellën e Real Madrid

Konkurenca të bën më të fortë dhe rezultatet reflektohen në statistika.

Karim Benzema dhe Erling Haaland janë bishat e mëdha të vitit 2023, për të krijuar një betejë të veçantë në klasifikimin e golashënuesve më të mirë në këtë vit kalendarik. Sulmuesi francez i dha fitoren Real Madrid në Champions, teksa u ngjit në kuotën e 18 golave në të gjithë kompeticionet.

Një rezultat që barazon sërish norvegjezin në krye të goleadorëve në 5 kampionatet kryesore të Europës. Haaland e kishte marrë epërsinë në këtë renditje pas golit kundër Bayern Munich. Benzema dhe Haaland janë të barabartë, ndjekur nga Marcus Rashford me 17 gola, të shënuar si me ekipet ashtu edhe në nivel kombëtareje.

Për më tepër, francezi konfirmoi se pre të preferuar ka ekipet angleze. Benzema ka shënuar në total 20 gola kundër skuadrave të Premier League, për tu vënë në ndjekje të Lionel Messi, që ka realizuar 27.

Përballë “Bluve të Londrës”, kapiteni mbretëror bëri paraqitjen e 130 në Champions League me Real Madrid, duke barazuar një legjendë si Raul Gonzalez. Në këtë mënyrë, 35-vjeçari do bëhet lojtari i dytë që ka luajtur më së shumti ndeshje me spanjollët, për të kërcënuar rekordin që mbahet nga Casillas me 150 paraqitje.