Goditet grupi kriminal që shkaktoi dëm financiar mbi 3 milionë euro, operacion ndërkombëtar në disa shtete, në Tiranë sekuestrohen mijëra euro

Një grup i strukturuar kriminal që dyshohet se ka mashtruar mbi 100 persona me një dëm financiar prej mbi 3 milionë euro është goditur nga autoritetet gjatë një operacioni ndërkombëtar të koduar “Platforma”, që përfshiu Shqipërinë, Gjermaninë, Qipron dhe Izraelin.

Operacioni, i zhvilluar me mbështetjen e Eurojust dhe Europol, është koordinuar në Shqipëri nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, nën drejtimin e SPAK.

Gjatë kontrolleve të kryera në Tiranë, janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale dy celularë, një laptop, një njësi kompjuterike, një USB, një hard disk i jashtëm dhe një shumë parash prej 40 020 eurosh, të dyshuara se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i grupit.

Hetimet nisën pas një letërporosie të lëshuar nga autoritetet gjermane, të cilat po hetojnë mashtrimet e kryera përmes një platforme të rreme investimesh online, që dyshohet se ka përfshirë viktima në disa vende të Europës.

Policia e Shtetit ka njoftuar se operacioni është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimet kibernetike dhe mashtrimet financiare ndërkombëtare, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.