Goditet grupi kriminal i kokainës në Greqi! 45 kg kapen në kontejnerin me banane, ishte nisur nga Amerika Latine

Autoritetet greke të Antidrogës në Selanik, kanë arrestuar katër persona anëtarë të një organizate kriminale ndërkombëtare, të cilët janë përfshirë në transportin dhe trafikimin e një sasie droge, 45 kg kokainë, nëpërmjet një kontejneri nga Amerika Latine drejt Greqisë, konkretisht në Portin e Selanikut.

Bëhet fjalë për katër të huaj, të moshave 32, 34, 36 dhe 44 vjeç, ndërsa në dosjen e krijuar janë përfshirë edhe persona të tjerë të paidentifikuar, anëtarë të grupit shumëkombësh.

Nga hetimi dhe  verifikimi i provave përkatëse, survejimi i profileve të përfshirëve dhe zhvillimi në nivel operacional i teknikave speciale të hetimit, u konstatua struktura e organizatës kriminale, karakteri i saj transnacional dhe veprimtaria kriminale e anëtarëve të saj.

Për të arritur qëllimin e tyre, anëtarët e organizatës kriminale përdorën rrugën detare, duke fshehur ngarkesat e kokainës në kontejnerë frigoriferë me banane.

Përveç kokainës të arrestuarve iu gjet dhe iu konfiskua shuma prej 1450 euro dhe 658 dollarë, 4 pajisje celulare dhe mekanizmat e gjurmimit dhe lokalizimit (GPS) .

Të arrestuarit janë dërguar në prokurorinë kompetente, ndërsa hetimet në bashkëpunim me autoritetet homologe të vendeve të tjera vazhdojnë.