Gledis Nano fiton dhe në apel gjyqin me qeverinë shqiptare, përfiton 100 mijë € paga
Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka fituar gjyqin me institucionin që drejtonte dhe do të dëmshpërblehet me vlerën e 60 pagave.
Mësohet se Gjykata Administrative e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke e konsideruar si të paligjshëm shkarkimin e tij nga detyra.
Ndërkohë administrativja e Apelit bën me dije se vendimi është marrë nga gjyqtarët Ardian Dvorani (relator), dhe Gentian Hamiti e Sokol Ibi (anëtarë).
Ky trup gjykues ka rrëzuar ankimin e Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Brendshme që kërkonin prishjen e vendimit që i dha të drejtë ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Në bazë të vendimit tashmë shteti duhet ti paguajë Nanos 60 paga mujore për 5 vite, rreth 100 mijë euro, sa mandati i parashikuar në ligj, i cili u ndërpre nga shkarkimi i qeverisë në 31 gusht 2022, me argumentin se nuk kishte realizuar objektivat.
Vendimi është marrë më 26 qershor dhe nuk dihet nëse qeveria do të depozitojë rekurs në gjykatën e lartë brenda afatit 30 ditor.
Në borderon e shtetit tashmë do të vijohet të paguhen 2 paga për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ndërsa Gledis Nano është kualifikuar nga komisioni i SPAK për në fazën e dytë të garës për kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit.