Gledis Nano e shkarkoi nga detyra pas tragjedisë së Himarës/ Kush është Ervis Alisinanaj, shefi i krimeve që u arrestua sot me urdhër të SPAK

Ervis Alisinanaj, ish-shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjës, është një nga efektivët e arrestuar sot nga SPAK në kuadër të një operacioni të madh kundër grupeve kriminale dhe korrupsionit në radhët e policisë.

Alisinanaj nuk është emër i panjohur për policinë, pasi në vitin 2022 ai u shkarkua nga detyra si nënkomisar në DVKM Vlorë, pas tragjedisë ku 7-vjeçarja Jonada Avdia u përplas për vdekje nga një skaf i drejtuar nga ish-efektivi Arjan Tase. Pas arrestimit të Tases, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, largoi nga detyra të gjithë zinxhirin komandues dhe operues në Himarë, përfshirë edhe nënkomisarin Ervis Alisinanaj.

Tashmë, ai ndodhet sërish në qendër të hetimeve, por këtë herë për akuza edhe më të rënda. Sipas burimeve, Alisinanaj akuzohet për “kultivim të lëndëve narkotike”, “grup të strukturuar kriminal”, “shpërdorim detyre” dhe “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Hetimet e SPAK zbuluan përfshirjen e tij në këto aktivitete përmes aplikacionit të koduar Sky Ecc, ku rezulton se ai ka pasur kontakte me grupe kriminale të përfshira në trafikun e drogës dhe aktivitete të tjera të jashtëligjshme.

Arrestimi i tij vjen si pjesë e një operacioni të gjerë, që ka çuar në pranga edhe zyrtarë të tjerë të policisë, përfshirë shefin e Krimeve në Himarë, Shkëlzen Ruskën, dhe disa të tjerë.