“Gjyshja”, “Bisha”, “Seriali” – Pseudonimet që përdornin anëtarët e grupit kriminal shqiptar të shkatërruar nga antimafia italiane dhe SPAK
Zbulohen detaje të reja nga operacioni i madh ndërkombëtar mes autoriteteve italiane dhe SPAK-ut, që çoi në shkatërrimin e një grupi të fuqishëm kriminal shqiptar, me bazë në Durrës, i cili merrej me trafik ndërkombëtar kokaine nga Amerika Latine, Italia, Shqipëria dhe vendet e tjera të BE-së.
Në dosjen hetimore të përgatitur nga Antimafia italiane, zbulohet një element interesant: pseudonimet e përdorura nga anëtarët e këtij grupi për të shmangur identifikimin gjatë komunikimeve.
Sipas hetimeve:
-Francesca Caputti, një shtetase italiane pjesë e grupit, njihej me emrin “Gjyshja”.
-Adi Çoba, një nga figurat kryesore, përdorte pseudonimet “Bisha” dhe “i shëndoshi”.
-Nuredin Kipitiu, një tjetër pjesëtar i organizatës, identifikohej me emrin “Nuro”.
-Rigels Presi, që kishte një rol të rëndësishëm në logjistikën e trafikut, quhej “Gelsi” ose “Seriali” nga bashkëpunëtorët e tij.
Këto pseudonime shërbenin për të koduar identitetin real të personave të përfshirë, për të shmangur përgjimet dhe për të fshehur gjurmët e aktivitetit të tyre të paligjshëm.
Operacioni u realizua në mënyrë të koordinuar mes Prokurorisë së Antimafias në Itali, Policisë së Shtetit, BKH-së dhe SPAK-ut, duke përfshirë gjithashtu autoritete nga vende të tjera të BE-së. U lëshuan dhjetëra masa sigurie dhe u sekuestruan prona, para, biznese dhe mjete luksoze që dyshohet se rrjedhin nga trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike.