Gjyqtarja Elsa Ulliri kërkon dorëheqjen nga dosja “Partizani”? GJKKO: Çdo vendim do komunikohet…

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka reaguar zyrtarisht lidhur me raportimet se gjyqtarja Elsa Ulliri ka kërkuar dorëheqjen nga çështja penale “Partizani”, ku të pandehur janë Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe të tjerë.

Në njoftimin e saj, GJKKO deklaron se çdo informacion zyrtar për një kërkesë dorëheqjeje apo vendimmarrje të mundshme do të komunikohet gjatë seancës së radhës, e cila është caktuar për datën 21 korrik 2025, në orën 10:30.

“Në këtë seancë, trupi gjykues do të relatojë nëse është paraqitur ndonjë kërkesë për dorëheqje nga gjyqtarja si dhe do të komunikohet çdo vendim i marrë nga titullari i gjykatës, në rast se ka një të tillë,” thuhet në reagimin e gjykatës.

Ndërkohë, mësohet se Elsa Ulliri ka paraqitur një kërkesë për dorëheqje te drejtuesi i GJKKO, Erion Bani, prej rreth 10 ditësh. Ajo ka argumentuar se është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri, e cila është një prej të pandehurve në këtë çështje.

Njoftimi i plote i GJKKO

Nisur nga interesi i lartë nga ana juaj për t’u informuar nëse gjyqtarja Elsa Ulliri ka paraqitur kërkesë për dorëheqje nga çështja penale në ngarkim të të pandehurve Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, etj…, me porosi të Zëvendëskryetarit të Gjykatës Z. Erjon Bani, ju bëjmë me dije se lidhur me këtë pjesë do të informoheni në seancën gjyqësore të rradhës, datë 21.07.2025, ora 10:30, ku trupi gjykues do të relatojë në seancë nëse është paraqitur ndonjë kërkesë e tillë si dhe vendimmarrja e titullarit, në rast se ka pasur vendimmarrje.