Gjyqi ndaj “mbretit të kokainës” Dritan Rexhepi në GJKKO, debat për komunikimet SKY ECC në çështjen e Jan Prengës
Në seancën e radhës që po zhvillohet për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës diskutohen transkriptimet e SKY ECC që SPAK ka administruar në kuadër të këtij gjykimi.
Avokatët e të pandehurve kërkojnë të dinë nëse do paraqiten komunikime të tjera nga ana e Prokurorisë së Posaçme.
Të paktën deri tani janë dorëzuar 3 kode SKY ECC, të Dritan Rexhepit, Altin Hajrit dhe Gentian Funiqit.
Asnjë prej të dyshuarve nuk është paraqitur, por janë përfaqësuar nga avokatët e tyre mbrojtës.
Është kërkuar të merret në pyetje me video-konferencë Astrit Prenga dhe Gëzim Shullani.
Nga britanikët ka ardhur një shkresë, ku Gjykata dhe Prokuroria e Posaçme janë vënë në dijeni se kërkohen detaje se si janë përfshirë në dosjen hetimore, pse janë të dyshuar dhe cilat prova apo dëshmi do të japin, si dhe adresat e plota.
Gjykata ka kërkuar që Prokuroria të gjejë adresat e sakta se ku ndodhen dhe jo të shënohet “Londër” Angli.
Prokurori Behar Dibra në seancën e sotme ka deklaruar se ka nisur disa letër-porosi tek autoritetet e huaja për të siguruar kodet dhe komunikimet në SKY ECC për persona të tjerë të përfshirë në çështjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës.
Prokurorja Kaçkini: “Për momentin kemi vetëm këto prova, fakte të mbledhura dhe komunikimet në SKY ECC.”
Avokatja e Dritan Rexhepit: “A janë të plota komunikimet në SKY apo janë të pjesshme? Këtë duam të dimë. Keni dy procedime që thoni që janë marrë.”
Prokurorja Kaçkini: “Janë akte që janë marrë në procedime të tjera. Komunikimet janë edhe këto komunikime elektronike. Nuk janë të gjitha, por janë vetëm komunikime që i përkasin çështjes.”
Prokurori Behar Dibra: “Janë të plota për këtë çështje dhe nuk kemi për të sjellë të tjera. Në kuadër të kësaj procedure kemi dërguar një tjetër letër-porosi. Për të pandehur të tjerë do t’i marrim dhe do t’ua vendosim në dispozicion.”
Të paktën deri tani janë dorëzuar 3 kode SKY ECC: të Dritan Rexhepit, Altin Hajrit dhe Gentian Funiqit.