Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshon urdhër arresti për Netanyahun, Merz e fton në Gjermani

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përballet me një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), por pavarësisht kësaj, ai ka marrë një ftesë për vizitë zyrtare në Gjermani nga lideri gjerman Friedrich Merz.

Në një deklaratë të shpërndarë nga zyra e Netanyahut, bëhet e ditur se Merz e uroi atë pas fitores në zgjedhjet parlamentare gjermane dhe i ofroi një ftesë për të vizituar Gjermaninë.
“Merz falënderoi kryeministrin për bisedën dhe tha se do ta ftonte për një vizitë zyrtare në Gjermani, në kundërshtim me vendimin skandaloz të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ta cilësuar kryeministrin si kriminel lufte”, thuhet në deklaratë.

Vendimi i GJNP-së, i marrë në nëntor të vitit të kaluar, përfshin jo vetëm Netanyahun, por edhe ish-ministrin e mbrojtjes së Izraelit dhe një komandant ushtarak të Hamasit. Nëse Netanyahu do të udhëtonte drejt një shteti anëtar të Gjykatës së Hagës, ai rrezikon të përballet me arrestim, pasi vendet anëtare janë të detyruara të zbatojnë urdhrat e kësaj gjykate.

Gjermania, si një nga shtetet që njeh autoritetin e GJNP-së, mund të përballet me një situatë të ndërlikuar ligjore nëse Netanyahu pranon ftesën për vizitë zyrtare. Ky zhvillim ka ngritur debate në arenën ndërkombëtare për ndikimin e politikës në respektimin e vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare.