Gjykata Kushtetuese shqyrton sot kërkesën e Berishës për heqjen e masës “arrest shtëpie”

Gjykata Kushtetuese pritet të shpallë sot vendimin për ankesën e liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me masën e sigurisë “arrest shtëpie” të vendosur ndaj tij një vit më parë nga Gjykata e Posaçme.

Berisha ka kërkuar që kjo masë të shpallet antikushtetuese, duke kundërshtuar vendimin e SPAK që ishte mbështetur edhe nga gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit.

Ish-kryeministri fillimisht kundërshtoi masat e vendosura nga SPAK, duke përfshirë bllokimin e pasaportës dhe detyrimin për paraqitje, me argumentin se procedurat duhet të ishin miratuar fillimisht nga Kuvendi. Në nëntor 2024, Kushtetuesja rrëzoi masën për ndalimin e daljes jashtë vendit duke e cilësuar jo proporcionale, ndërsa konfirmoi se detyrimi për paraqitje ishte i vlefshëm pa miratim nga Kuvendi.

Berisha ka qëndruar në arrest shtëpie për 333 ditë. Më 3 janar 2025, Apeli i Posaçëm vendosi rikthimin e masës së detyrimit për paraqitje, ndërsa sot pritet që Gjykata Kushtetuese të vendosë përfundimisht për ankesën e tij.