Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar për herë të dytë padinë e Partisë Demokratike për projektin e Portit të Durrësit, duke lënë në fuqi marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Vendimi u mor me shumicë votash, pas shqyrtimit të pretendimeve të ngritura nga opozita, të cilat u cilësuan të pabazuara.
PD kishte kërkuar shfuqizimin e marrëveshjes dhe disa vendimeve të Këshillit të Ministrave (VKM) të lidhura me transferimin e pronave shtetërore për realizimin e projektit strategjik. Megjithatë, Gjykata vendosi se këto VKM janë akte individuale dhe nuk i nënshtrohen juridiksionit kushtetues.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se pretendimet e PD për cenim të konkurrencës së lirë dhe barazisë para ligjit nuk u morën në shqyrtim, pasi përzgjedhja e zhvilluesit pa garë ishte parashikuar në marrëveshjen ndërkombëtare të miratuar me ligjin nr. 145/2020. Sipas Gjykatës, konkurrenca mes zhvilluesve ndodh në fazën e marrjes së statusit të investitorit strategjik, jo në procesin e përzgjedhjes së partnerit të projektit.
Gjithashtu, Gjykata rrëzoi pretendimet për cenim të decentralizimit dhe autonomisë vendore, duke theksuar se menaxhimi i hapësirave publike nga investitori strategjik mbetet në diskrecionin e pushtetit vendor.
Në lidhje me pretendimet për konkurrencë të padrejtë, Gjykata theksoi se përjashtimi i investitorit nga detyrimi për të paguar taksat e ndikimit në infrastrukturë dhe kontributin për banesat sociale nuk përbën një avantazh të padrejtë, pasi shteti shqiptar zotëron 33% të aksioneve të shoqërisë investitore dhe do të përfitojë nga ndarja e dividentit.
Gjykata rrëzoi edhe pretendimet për:
• Cenimin e identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore;
• Dështimin e shtetit për të mbrojtur pronën publike;
• Mungesën e transparencës në procedurat e miratimit të marrëveshjes;
• Krijimin e një skeme të tipit golden passports;
• Cenimin e të drejtës për strehim social dhe përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.
Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën e PD-së me shumicë votash, duke lënë në fuqi marrëveshjen për zhvillimin e projektit të Portit të Durrësit. Vendimi përfundimtar pritet të publikohet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga Kushtetuta dhe rregullorja e Gjykatës Kushtetuese.
Ky vendim pritet të ketë ndikim të madh në vijimin e projektit, i cili synon të transformojë portin në një qendër moderne turistike dhe ekonomike.