Gjykata Kushtetuese reagon ndaj kritikave: Jemi të pavarur, çdo përpjekje për ndikim është e papranueshme

Në një deklaratë publike, Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas një sërë qëndrimesh dhe komentesh të bëra në media dhe rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshirë pushtetin ekzekutiv, si dhe nga vetë media.

Gjykata siguron qytetarët dhe palët e përfshira në procese se ajo mbetet plotësisht e pavarur në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe se veprimtaria apo vendimmarrja e saj nuk ndikohet nga jashtë.

Gjykata rithekson se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, por thekson se “është e papranueshme çdo formë ndikimi”, duke përfshirë edhe përpjekjet që mund të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e institucionit.

“Çdo tentativë për të cenuar autoritetin e Gjykatës, qoftë edhe në dukje, prek parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes e balancimit të pushteteve”, thuhet më tej në reagim.

Kjo deklaratë vjen në një moment të ndjeshëm për institucionet e drejtësisë në vend, ku vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë qenë në qendër të vëmendjes publike dhe kanë nxitur debat të gjerë.