Gjykata federale pezullon vendimin e administratës Trump, i jep të drejtë Harvard për regjistrimin e studentëve ndërkombëtarë
Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka pezulluar përkohësisht vendimin e administratës së presidentit Donald Trump, i cili synonte t’i ndalonte Universitetit të Harvardit regjistrimin e studentëve ndërkombëtarë. Vendimi i shumëdiskutuar u bllokua vetëm disa orë pasi universiteti prestigjioz paraqiti një padi duke e cilësuar veprimin si një akt “hakmarrës politik”.
Gjykatësja e Qarkut, Allison Burroughs, e emëruar nga ish-presidenti Barack Obama, argumentoi se Harvard do të pësonte dëme të menjëhershme dhe të pariparueshme nëse masa e administratës do të hynte në fuqi pa një shqyrtim të plotë ligjor. Ajo theksoi se revokimi i certifikimit për programet e studentëve ndërkombëtarë shkelte ligjin dhe të drejtat kushtetuese të institucionit.
Në padinë e paraqitur, Universiteti i Harvardit akuzon administratën Trump se po ndëshkon universitetin për qëndrimet e tij të pavarura dhe për refuzimin për të zbatuar direktivat ideologjike të qeverisë federale. Mes kërkesave të kontestuara nga Harvard janë dorëzimi i të dhënave disiplinore të studentëve dhe ndërprerja e programeve për barazi dhe përfshirje sociale.
“Ky është një veprim hakmarrës ndaj të drejtës së Harvardit për të mbrojtur pavarësinë akademike dhe lirinë e shprehjes,” thuhet në dokumentet zyrtare të padisë.
Konferenca e parë mbi këtë çështje është caktuar të zhvillohet virtualisht ditën e martë, ndërsa gjykata pritet të dëgjojë argumentet për një urdhër paraprak të enjten, i cili mund të bllokojë përfundimisht vendimin e administratës derisa të merret një vendim përfundimtar.