Gjykata e Tiranës vendos masën ‘Arrest shtëpie’ për Elvis Kosovën. Ndërsa ka lënë masën ‘Arrest në burg’ për shtetasin turk Yucehan Er. Avokati Kosovës ka pretenduar që Kosova është mashtruar nga shtetasi turk pasi e ka blerë automjetin kundrejt pagesës dhe nuk e dinte që ishte i vjedhur.
Të njëjtat masa kërkoi dhe prokuroria për dy të arrestuarit. Shtetasi turk ka kërkuar kohë të japë shpjegime në një moment të dytë. Sipas policisë automjeti ishte marrë me qira në Gjermani dhe shtetasi turk ka bërë kallëzim që ia kanë vjedhur në një hotel në Tiranë. Para policisë ai ka pranuar skemën e mashtrimit dhe ka thënë që do të merrte 5-10 mijë euro.
Elvis Kosova, nuk është një emër i panjohur për uniformat blu. Ai njihet si një “pilot” garash me shpejtësi gati të njëjtë me ato në Formula Uno dhe madje një prej tyre e ka fituar në “Drag Race” të zhvilluar gjatë kohës së Pandemisë Covid-19 në Kosovë, si përfaqësues i Shqipërisë, në muajin Qershor të vitit 2021, me një “Nissan” sportiv.
Lajmin atë kohë e publikonin edhe mediat kosovare, si “Telegrafi” dhe “Indeks Online”, teksa i riu që thirrej edhe si Vis Kosova, është edhe pronari i një subjekti privat për shit-blerje makinash. Por jo vetëm kaq, pasi ka qenë personazh negativ në një rast tjetër, një vit më pas (2022) në aksin Laç-Mamurras (Lezhë), në zonën e Patokut, ku është akuzuar dhe hetuar si organizator i një gare të paligjshme me makina “Gogi kundër Visit”.
Ai është kapur teksa po çmontonte mjetin e tij të garave në servis (është edhe pronar i një subjekti të tillë import-eksport mjetesh). Policia ndau edhe pamjet me video nga aksioni në atë kohë. Kurse Policia Rrugore e gjobiti me 120 mijë lekë të reja (1500 euro me kursin e këmbimit në atë kohë).
“Penguan qarkullimin e mjeteve të transportit rrugor, për të realizuar gara sportive, prishën rendin dhe qetësinë publike, organizuan grumbullime dhe më pas postuan video në rrjete sociale, shërbimet e Policisë identifikojnë dhe procedojnë penalisht dhe administrativisht njërin nga drejtuesit e mjeteve, i cili ishte organizatori i garës dhe shpallin alert mjetin tjetër.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe automjetin në pronësi të E. K., i cili e kishte dërguar atë në një servis, për ta çmontuar.
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqeshin drejtues mjetesh që kishin ndaluar mjetet e tyre, me qëllim për të realizuar gara sportive, në aksin rrugor Lezhë-Mamurras, tek “Mbikalimi i Patokut”, duke penguar lëvizjen e lirë të mjeteve të tjera, duke prishur rendin e qetësinë publike dhe duke organizuar grumbullime të njerëzve, shërbimet e Policisë Rrugore Lezhë, falë veprime të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin e njërit prej drejtuesve të mjeteve.
Në vijim të veprimeve hetimore, filloi procedimi penal për shtetasin E. K., 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime” dhe ” “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”. Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë i është vendosur masa administrative 150.000 lekë të rinj”, njoftoi policia atë kohë.