Gjykata e Tiranës dënon me burg të përjetshëm Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin për vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku
Gjykata e Tiranës ka dënuar me burgim të përjetshëm Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të akuzuar si autorët e vrasjes së Artan Cukut.
Prokuroria ngriti akuzat ndaj Bledar Jambellit alias Rikardo Muho dhe Kristaq Lecit për veprat penale “Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Dinamika e ngjarjes
Sipas organit të akuzës, Bledar Jambelli, person me rrezikshmëri të madhe shoqërore dhe i ndjekur nga organet hetimore prej viteve 2000, në vitin 2012 u hetua dhe u arrestua nga Policia e Vlorës, në kohën kur drejtoria drejtohej nga Artan Cuku, për vrasjen e shtetasve Shpëtim Muka dhe Ervin Shehu. Gjatë procesit gjyqësor doli i pafajshëm dhe u lirua. Në shenjë hakmarrjeje ndaj Artan Cukut për arrestimin, Bledar Jambelli përgatiti vrasjen e tij.
Për realizimin e këtij qëllimi, ai lidhi marrëveshje me Kristaq Lecin dhe takoi Mikel Shallarin, të cilit iu premtua pagesë rreth 20 mijë euro dhe ndihmë për të shkuar në Gjermani. Kristaq Leci e pajisi Shallarin me dy pistoleta, njëra tipit Zastava dhe tjetra Clock me silenciator, ndërsa vetë ndoqi viktimën nga larg për ta mbajtur në vëzhgim.
Mikel Shallari qëlloi të paktën tetë herë mbi Artan Cukun, duke e lënë të vdekur në vend. Ai u arrestua menjëherë, bashkëpunoi me drejtësinë dhe u dënua me 10 vite burg pasi pranoi krimin dhe kërkoi ndjesë familjarëve të viktimës. Nga hetimet rezultoi se vrasja u krye me dashje në formën e paramendimit, shtyrë nga motive hakmarrjeje dhe përfitimi.