Gjykata e Strasburgut i jep të drejtë Thoma Gëllçit: Arrestimi nga SPAK i paligjshëm, zgjatja e paraburgimit e pajustifikuar
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka vendosur që janë shkelur të drejtat e Thoma Gëllçit, ish-drejtorit të RTSH-së, duke e mbajtur atë në paraburgim për një periudhë të gjatë pa prova të mjaftueshme. Sipas vendimit të Strasburgut, mbajtja e Gëllçit në paraburgim për më shumë se shtatë muaj ishte e padrejtë, duke theksuar se argumentet për arrestimin ishin të pambështetura dhe të përgjithshme.
Thoma Gëllçi, i cili u dënua me 1 vit e 4 muaj burg për shpërdorim detyre lidhur me një kontratë për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro, ishte arrestuar në tetor të vitit 2021. Vendimi i Gjykatës së Strasburgut konstaton se SPAK nuk ofroi prova konkrete për të mbështetur arrestimin dhe zgjatjen e paraburgimit të tij. Gjykata gjithashtu e konsideron të pajustifikuar zgjatjen e paraburgimit, pasi autoritetet hetimore nuk treguan “kujdes të veçantë” gjatë hetimit.
Për këtë shkelje, Gjykata e Strasburgut i dha të drejtë Gëllçit dhe ofroi një dëmshpërblim simbolik për shkeljen e të drejtave të tij, duke i ngarkuar shtetit shqiptar edhe kostot avokatore të procesit. Avokati i Gëllçit e ka konsideruar këtë një fitore morale dhe ka paralajmëruar se beteja për drejtësinë do të vazhdojë në gjykatat shqiptare, duke theksuar se SPAK-u, me mbështetje të qeverisë, ka abuzuar me nevojat revolucionare për të krijuar shfaqje mediatike.