Gjykata e Strasburgut dënon Zvicrën për dëbimin e padrejtë të një kosovari!
Zvicra është dënuar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) për dëbimin e një shtetasi kosovar që kishte jetuar në këtë vend që nga foshnjëria, duke e cilësuar këtë akt si shkelje të të drejtave themelore të njeriut. Gjykata me seli në Strasburg vendosi se autoritetet zvicerane kishin shkelur nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili garanton të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare.
Personi në fjalë, tashmë 35 vjeç, kishte mbërritur në Zvicër në vitin 1989 kur ishte vetëm pesë muajsh, përmes programit të ribashkimit familjar në kantonin e Tisinës. Ai ishte rritur dhe jetuar në Zvicër gjatë gjithë jetës, por në vitin 2009 u dënua me 26 muaj burg për vepra të rënda penale, përfshirë dhunë të rëndë fizike ndaj dy personave që përfunduan në spital me lëndime në tru, si dhe për kërcënime me vdekje ndaj një të mituri.
Pas këtij dënimi, autoritetet zvicerane vendosën t’i revokonin lejen e qëndrimit dhe të urdhëronin dëbimin e tij nga vendi. Megjithatë, ky vendim u ekzekutua fizikisht vetëm në korrik të vitit 2023, plot 14 vite pas urdhrit fillestar.
Në ankesën e paraqitur në GJEDNJ, shqiptari nga Kosova argumentoi se dëbimi përbënte një ndërhyrje të rëndë në jetën e tij familjare dhe sociale në Zvicër, ku kishte të gjithë familjen dhe një histori të gjatë integrimi. Ai gjithashtu ngriti shqetësime serioze për gjendjen e tij shëndetësore, pasi vuan nga një defekt në zemër dhe jetesa në Kosovë për të përbënte një rrezik të madh për shëndetin dhe jetën.
Gjykata i dha të drejtë, duke theksuar se autoritetet zvicerane kishin dështuar të merrnin në konsideratë në mënyrë të duhur lidhjet e tij të forta personale dhe shëndetësore me Zvicrën. Vendimi i Strasburgut vlerësoi se dëbimi ishte një masë joproporcionale dhe jo në përputhje me standardet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Për pasojë, Zvicra është urdhëruar t’i paguajë 19,000 euro si dëmshpërblim për shkeljen e të drejtave të tij.