Gjykata e Posaçme shpall të pafajshme Albana Vokshin për akuzat e shpifjes nga Vilma Nushi

Gjykata e Posaçme shpalli të pafajshme deputeten e Partisë Demokratike Albana Vokshi, e cila ishte paditur për shpifje nga biznesmenia Vilma Nushi dhe shoqëria “3P LIFE LOGISTIC”. Pasi shqyrtoi çështjen, gjykata doli në konkluzionin se “fakti nuk përbën vepër penale”.

Gjatë seancës, avokatët e Vilma Nushit kërkuan që Vokshi të dënohet për shpifje, të kryera gjatë kohës që ishte kryetare e Komisionit Hetimor për koncesionet në shëndetësi.

Avokati i Vokshit tha se “deklaratat janë bërë në ushtrim të detyrës së saj si deputete e Kuvendit”. Në kohën që Vokshi po fliste, biznesmenia Nushi ndërhyri, sjellje e cila u konsiderua shkelje e solemnitetit të procesit dhe ajo u nxor jashtë nga salla me vendim të gjykatës.

Prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, tha se “nga aktet e administruara në proces, konkludojmë se deklarata është bërë në kuadër të Komisionit Hetimor. Albana Vokshi ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Posaçme dhe mbi bazën e këtij kallëzimi është regjistruar procedim penal. Nuk provohet që Albana Vokshi të ketë konsumuar elementet e veprës penale, ndaj kërkojmë të deklarohet e pafajshme për shpifje në dëm të viktimës akuzuese Vilma Nushi.”

 

Njoftimi i GJKKO
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË
PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Viktimat akuzuese Vilma Nushi dhe shoqëria “3P LIFE LOGISTIC”, me administrator shtetasin Altin FANI me datë 16.01.2025 kanë paraqitur pranë Gjykatës
kërkesën për gjykimin e ҫështjes penale me të akuzuar shtetasen Albana Vokshi, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpifja”, e kryer botërisht, parashikuara nga neni
120 i Kodit Penal.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, me vendimin

Nr. 51, datë 21.07.2025 vendosi:

1. Deklarimin e pafajshme të të akuzuarës Albana Vokshi, për kryerjen e veprës penale “Shpifja”, e kryer botërisht, e parashikuar nga neni 120 i Kodit Penal, në dëm të viktimave akuzuese Vilma Nushi dhe shoqëria “3P LIFE LOGISTIC”, pasi fakti nuk përbën vepër penale.
2. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen viktimave akuzuese, Vilma Nushi dhe shoqërisë “3P LIFE LOGISTIC”.

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.