Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesat për veçim të çështjes në dosjen 5D, vijon gjykimi për të gjithë të pandehurit

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën për ndarjen e procedimit penal në çështjen e njohur si “dosja 5D”, duke vendosur që procesi gjyqësor të vijojë në mënyrë të bashkuar për të gjithë të pandehurit.

Avokatja e Taulant Tushës ishte e para që kërkoi veçimin e çështjes për klientin e saj, me arsyetimin se pozita juridike, faktet dhe provat që lidhen me të ndryshojnë ndjeshëm nga ato të të pandehurve të tjerë në dosje. Kësaj kërkese iu bashkuan edhe të pandehurit Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albano Janku, të gjithë pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët pretenduan se veprimet e tyre nuk lidhen drejtpërdrejt me pjesën tjetër të procedimit penal.

Sipas avokatëve mbrojtës, çështjet penale që u atribuohen të pandehurve Mariglen Qato dhe Redi Molla, përkatësisht për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, si edhe akuzat ndaj Nestor Muhametllarit, kërkojnë trajtim të veçantë për shkak të natyrës së ndryshme të provave dhe kompleksitetit të akuzave.

Megjithatë, trupa gjykuese nuk e konsideroi të nevojshme ndarjen e çështjes dhe vendosi që gjykimi të vijojë në një proces të unifikuar, duke vlerësuar se shqyrtimi i përbashkët nuk dëmton të drejtat e mbrojtjes për secilin të pandehur.