Gjykata e Posaçme e Apelit: Bashkëpunimi Veliaj-Xoxa-Abule ka tiparet e grupit të strukturuar kriminal
Vendimi i zbardhur i Gjykatës së Posaçme të Apelit ka ngritur dyshime të forta për një bashkëpunim të mundshëm kriminal mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, dhe biznesmenit Elman Abule. Në vendimin e datës 13 mars, gjykata konfirmoi masën e arrestit për Veliajn, duke theksuar se ai paraqet rrezik real për pengimin e hetimeve.
Sipas arsyetimit të gjykatës, bashkëpunimi mes Veliajt, Xoxës dhe Abules ka elementë të një grupi të strukturuar kriminal, përfshirë përfitime materiale nga veprimtaria e paligjshme. Megjithatë, gjykata shprehet se për këtë moment, akuzat për formimin e një grupi të strukturuar kriminal nuk mund të merren parasysh, pasi ende nuk janë të qarta në hetim.
Gjykata, e cila ka analizuar gjithashtu mundësinë e ndikimit të Veliajt në hetime dhe dëshmitarët, ka theksuar se ky mund të përdorë pushtetin e tij për të ndikuar në zhvillimet e hetimeve dhe për të dëmtuar provat. Gjyqtari Engert Pëllumbi vuri gjithashtu në dukje tentativën e Veliajt për të ndikuar në provat e hetimit, duke realizuar telefonata nga paraburgimi, një veprim që është konsideruar nga SPAK si ndërhyrje në hetim.
Ekspertët e gjykatës kanë konstatuar gjithashtu rrezikun e arratisjes, duke u bazuar në mundësitë financiare të Veliajt dhe lëvizjet e tij të shpeshta që janë dokumentuar në sistemin TIMS. Gjyqtari Pëllumbi theksoi se ky rrezik është “eminent dhe në nivele të larta”.
Hetimet vijojnë, ndërsa për Veliajn mbetet në fuqi masa e arrestit.