Gjykata e Lartë e SHBA rrëzon kërkesën e Trump për ngrirjen e fondeve të ndihmës së huaj, preket edhe Shqipëria
Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka rrëzuar këtë të mërkurë kërkesën e administratës Trump për të mbajtur të ngrira miliarda dollarë ndihma të miratuara nga Kongresi për vendet e huaja, përfshirë edhe Shqipërinë.
Kujtojmë se pezullimi i këtyre fondeve kishte ndikuar edhe në sistemin e drejtësisë shqiptare, ku një nga institucionet e prekura ishte Prokuroria e Posaçme (SPAK). Megjithatë, në atë kohë, SPAK reagoi duke deklaruar se mbështetet kryesisht në buxhetin e shtetit shqiptar dhe se pavarësia e tij nuk vihet në diskutim.
Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë, nuk është përcaktuar ende një afat i qartë për lirimin e fondeve, duke i lënë mundësinë Shtëpisë së Bardhë të vazhdojë ta kundërshtojë çështjen në gjykatat më të ulëta. Vendimi u mor me 5 vota pro dhe 4 kundër, ndërsa shumica theksoi se gjykatat më të ulëta duhet të qartësojnë detyrimet e qeverisë për të zbatuar urdhrin e ndalimit të përkohshëm të fondeve.
Sipas Steve Vladeck, analist i Gjykatës së Lartë dhe profesor në Qendrën Juridike të Universitetit Georgetown, ato projekte që kanë nisur dhe janë miratuar do duhet të financohen, ndërsa vendimi i gjykatës thjesht hap rrugën për ekzekutimin e pagesave.
Në qendër të kësaj çështjeje janë miliarda ndihma të huaja nga Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), të cilat Trump i ngriti në janar, si pjesë e strategjisë së tij për të shtrënguar shpenzimet dhe për t’i përshtatur ato me axhendën e administratës së tij.
Më herët, më 13 shkurt, gjykatësi amerikan Amir Ali kishte urdhëruar që pjesa më e madhe e fondeve të vazhdonin të shpërndaheshin përkohësisht, por administrata Trump e kundërshtoi këtë vendim, duke bërë një apel urgjent në Gjykatën e Lartë për të ndalur pagesat.
Ndërkohë, programet e ndihmës në mbarë botën kanë mbetur të pezulluara për shkak të ngrirjes së fondeve dhe rishikimit të ndihmës prej miliarda dollarësh. Kjo situatë ka çuar gjithashtu në reduktimin e fuqisë punëtore të USAID-it, me shumë punonjës të vendosur në pushim ose të larguar nga puna.
Me këtë vendim, pritet që fondet e bllokuara të ndihmës për Shqipërinë dhe vendet e tjera të lirohen, por mbetet ende e paqartë kur do të ndodhë ekzekutimi i plotë i pagesave.