Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e marrë më 19 Mars 2024 për ish-zyrtaren Alda Klosi, sanitaren Rozeta Dobi dhe djalin e kësaj të fundit Havier Dobi.
Ish-zyrtarja është dënuar me 20 muaj burg për “mosdeklarim e fshehje pasurie”. Rozeta Dobi me 4 vite e 8 muaj burg për vjedhje në dy raste dhe djali i saj Havier Dobi me 1 vit e 8 muaj heqje lirie po për vjedhje.
Njoftimi i plotë i Gjykatë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm:
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë: Më datë 15.12.2022, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve”, tek pallati “Orion”, është vjedhur banesa e shtetases me iniciale A. K. Për kryerjen e kësaj vepre penale, është akuzuar pastruesja e saj me iniciale R. D si dhe djali i kësaj të fundit me iniciale H. D. Në përfundim të hetimeve paraprake Prokurirsa pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, paraqiti kërkesën, me objekt:
Dërgimin në gjyq të procedimit penal nr. 9220/2022, kundër: të pandehurës me iniciale R. D, e akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Vjedhjes” me pasoja të rënda, në bashkëpunim dhe “Vjedhjes ” më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 134/3 – 25 dhe 134/2 të K. Penal, të pandehurit me iniciale H. D, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes” me pasoja të rënda, në bashkëpunim, të parashikuar nga nen1 134/3 – 25 të Kodit Penal, të pandehurës me iniciale A. K (Ç), e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 të Kodit Penal.
Pushimin e hetimeve të procedimit penal nr. 9220/2022 për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga nenet 287/1 dhe 305/b të Kodit Penal, ndaj personit nën hetim A. K (Ç). Në lidhje me kërkesën për pushim si më sipër treguar, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, (gjyqtari i seancës paraprake) me vendimin datë 04.03.2024 ka vendosur:
Pranimin pjesërisht të kërkesës së prokurorisë. Pushimin e hetimeve të procedimit penal nr. 9220 të viti 2022 me person nën hetim A. K (Ç), për veprën penale “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga neni 305/b të Kodit Penal. Kthimin e akteve për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1 të Kodit Penal, ndaj personit nën hetim A. K (Ç).
Ndaj këtij vendimi, ka bërë ankim:
-Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka kërkuar ndryshimin pjesërisht të vendimit. Pushimin e hetimeve për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1 të Kodit Penal, ndaj personit nën hetim A. K (Ç). -Personi nën hetim A. K (Ç), e cila kërkoi prishjen pjesërisht të vendimit. Pushimin e gjykimit për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1 të Kodit Penal. Ankimet e mësipërme janë në pritje për gjykim, pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Në lidhje me kërkesën për gjykim, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është gjykuar çështja penale ndaj tre të pandehurve R. D, H. D dhe A.K (Ç).
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 665, datë 19.03.2024 ka vendosur:
1. Deklarimin fajtore të të pandehurës R. D për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 6 (gjashtë) vjet burgim.
2. Deklarimin fajtore të të pandehurës R. D për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 1 (një) vit burgim.
3. Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një dënim të vetëm prej 7 (shtatë) vjet burgim.
4. Në bazë të nenit 406 të K.Pr. Penale, i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe e dënon përfundimisht të pandehurin R. D me 4 (katër) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
5.Vuajtja e dënimit i fillon të pandehurës R. D nga data e arrestimit në flagrancë datë 07.01.2023
6. Vuajtja e dënimit të vuhet nga e pandehura R. D në një burg të sigurisë së zakonshme.
7. Deklarimin fajtor të të pandehurit H. D për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
8. Në bazë të nenit 406 të K.Pr. Penale, i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe e dënon përfundimisht të pandehurin H. D me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
9. Vuajtja e dënimit i fillon të pandehurit H. D nga data e ndalimit datë 07.01.2023
10. Vuajtja e dënimit të vuhet nga i pandehuri H. D në një burg të sigurisë së zakonshme.
11. Deklarimin fajtore të të pandehures A. K (Ç) për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 2 (dy) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.
12. Në bazë të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe e dënon përfundimisht të pandehurën A. K (Ç) me 1 (një) vit e 8 (tetë) muaj burgim.
13. Vuajtja e dënimit i fillon të pandehurës A. K (Ç) nga data e ndalimit datë 07.02.2023.
Ndaj vendimit kanë bërë ankim:
E pandehura me iniciale A. K (Ç), e cila kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin e pafajshëm.
E pandehura me iniciale R. D, e cila kërkoi ndryshimin e vendimit, dhënien e një dënimi më të butë.
I pandehuri me iniciale H. D, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit. Deklarimin fajtor për veprën penale të “Vjedhjes” dhe aplikimin e nenit 406 të K.Pr.Penale. Në zbatim të nenit 59 dhe 60/9 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për pjesën e pavuajtur të dënimit, duke e vënë në provë të pandehurin. Në përfundim të gjykimit, më datë 02.10.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare z. Fuat Vjerdha dhe anëtare z. Genti Shala dhe z. Genti Dokollari, vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit Nr. 665, datë 19.03.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.