Gjykata cakton arrest në burg për 8 të dyshuarit për shitblerje armësh në Tiranë
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” për 8 të arrestuarit për shitblerje armësh. Trupa gjykuese ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për masat e sigurimit. Në qeli do të qëndrojnë Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj, Adriano Shehu. Para gjykatës, asnjë nga të dyshuarit nuk ka folur.
Ndërkohë që mbrojtja ka ngritur pretendime se është vepruar në kundërshtim me ligjin përsa i përket blerjeve të stimuluara, pasi sipas tyre policia po i shtyn njerëzit në veprime të kundërligjshme. Po ashtu, avokatët kanë kërkuar prova dhe fakte për secilin nga të dyshuarit, për veprimet konkrete që ata kanë kryer. Gjithashtu, ata kanë kërkuar edhe akt-ekspertizat e armëve, nëse janë ose jo funksionale. Mbrojtja i ka kërkuar gjykatës që ta cilësojë të paligjshëm arrestimin. Ata i kanë kërkuar gjykatës që të mbahej edhe parasysh fakti që të dyshuarit nuk kanë precedent të mëparshëm penal.
Ndërkohë, organi i akuzës ka vënë në dispozicion të gjykatës akt-ekspertimet e kryera për armët që janë kapur më herët, kur është bërë ndalimi i Altin Pajazitit dhe Kadri Prushit, ku njëra nga armët rezulton jashtë funksionit. Gjatë operacionit të zhvilluar nga ana e strukturave të rendit u sekuestruan 14 armë zjarri, 12 pistoleta ku njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 automatike, 2077 fara cannabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë.