Gjurmë ADN-je në valixhen ku u gjet trupi i Ilarias, dyshohet për përfshirjen e babait të autorit
Hetimet për vrasjen makabre të 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, po zbulojnë detaje të reja që mund të çojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Edhe pse autori i dyshuar, 23-vjeçari Mark Antony Samson, ndodhet në pranga, hetuesit dyshojnë për bashkëpunëtorë të tjerë.
Së fundmi, në valixhen ku u gjet i futur trupi i pajetë i të resë shqiptare, janë zbuluar gjurmë ADN-je që i përkasin një mashkulli. Kjo ka ngritur dyshimet e hetuesve se në ngjarje mund të jetë përfshirë edhe babai i autorit, i cili deri më tani nuk është nën hetim. Dyshimet janë intensifikuar, megjithëse nëna e Mark Samson ka dëshmuar se bashkëshorti i saj nuk ndodhej në shtëpi kur ndodhi vrasja. Ajo vetë ka pranuar se ndihmoi të birin për të fshirë gjurmët e gjakut.
Megjithatë, Prokuroria e Romës pritet ta marrë sërish në pyetje të atin e 23-vjeçarit dhe t’i kryejë analizat për të verifikuar përputhjen e ADN-së së tij me atë që është gjetur në valixhe.
Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e 25 marsit. Sipas hetimeve, Mark Samson e thirri ish-të dashurën e tij në shtëpi për të kaluar natën atje, edhe pse çifti ishte ndarë prej një viti. Ai e goditi Ilariën tre herë me thikë në fyt, duke i shkaktuar vdekjen për shkak të gjakderdhjes masive, brenda më pak se një minute.
Pas krimit, Samson e mbajti trupin e pajetë të vajzës të fshehur në dhomën e tij për më shumë se 24 orë, deri në pasditen e 26 marsit, kur e futi në një valixhe dhe e hodhi në një humnerë në një zonë të pyllëzuar në Poli, jashtë Romës. Gjatë kësaj kohe, ai përdorte telefonin e saj dhe bënte postime në rrjetet sociale në emrin e viktimës, për të krijuar idenë se ajo ishte ende gjallë dhe për të shmangur dyshimet.
Hetimet po vijojnë intensivisht për të vërtetuar nëse në këtë krim të rëndë kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë.