GJKKO urdhëron SPAK të nisë hetimet ndaj Olta Xhaçkës dhe bashkëshortit të saj, gjyqtarja në fokusin e vetingut dhe lidhjeve familjare me PD

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO) ka urdhëruar SPAK-un të nisë hetimet për deputeten e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, dhe bashkëshortin e saj, Artan Gaçi, lidhur me përfitimin e një investimi strategjik. Vendimi i GjKKO-së ka tërhequr vëmendjen, pasi gjyqtarja që mori këtë vendim, Flora Hajredinaj, ka lidhje familjare me figura të njohura të Partisë Demokratike (PD), duke u përfshirë gjithashtu në hetimet e vettingut për pasurinë e saj.

Gjyqtarja Hajredinaj, kunata e Xhemal Gjunkshit, kandidat i PD në Dibër, dhe bashkëshorti i saj, Kujtim Hajredinaj, i cili ka pasur angazhime të ngushta me këtë forcë politike, janë të lidhur ngushtë me këtë hetim. Gjatë procesit të vettingut, Hajredinaj deklaroi një shumë prej 67 mijë eurosh dhuratë nga të afërmit, përfshirë 40 mijë euro nga vjehrri i saj, të cilat janë justifikuar si kursime nga pensioni. Megjithatë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) e konsideroi një pjesë të kësaj shume, 50 mijë euro, si të pajustifikuar, por çështja nuk pati pasoja për karrierën e saj.

Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar (DSIK) gjithashtu ka paraqitur një vlerësim negativ për Hajredinaj, duke përmendur bashkëshortin e saj si ndërmjetës në disa vendimmarrje, duke sugjeruar ndikim në kthimin e pasurive të sekuestruara që u dhanë më vonë me qira familjarëve të personave të lidhur me çështje të profilit të lartë.

Një tjetër shqetësim ka dalë nga formulari i vetëdeklarimit të gjyqtares, ku është evidentuar një ndryshim në datën e lindjes, që fillimisht ishte 1.11.1969 dhe më pas u korrigjua në 1.11.1972, duke e justifikuar si një gabim administrativ të zyrës së gjendjes civile.