GJKKO shpall të pafajshëm Gazment Bardhin për padinë e shpifjes ndaj KESH! Akuzoi Belinda Ballukun për abuzim me 180 milionë euro

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur të pafajshëm kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili ishte paditur për shpifje pas akuzave publike që kishte bërë ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Energjisë, Belinda Balluku, si dhe kompanive shtetërore të sektorit energjetik.

Bardhi kishte depozituar më 18 tetor të vitit të kaluar një kallëzim penal në SPAK dhe më pas mbajti një konferencë për shtyp, ku denoncoi një skemë të dyshuar abuzimi në shit-blerjen e energjisë elektrike, që sipas tij kapte vlerën e rreth 180 milionë eurove. Ai akuzoi drejtues të KESH sh.a. dhe OSHEE Group sh.a., duke theksuar se përgjegjësia kryesore bie mbi Belinda Ballukun.

“Ministrja e Energjisë është kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të KESH-it, personi përgjegjës që firmos për shpenzimet dhe bilancet e kompanisë. Pa miratimin e saj, skema okulte e shitblerjes së energjisë jashtë bursës dhe abuzimi me miliona euro do të ishte ndalur”, deklaroi Bardhi.

Sipas tij, vetëm për periudhën e analizuar nga ana e opozitës, dëmi ekonomik nga kjo skemë kapte shifrën 16 milionë euro dhe asnjë masë nuk ishte marrë për të ndalur këtë praktikë të paligjshme.

Pas këtyre deklaratave, Gazment Bardhi u padit për shpifje, por GJKKO vendosi sot se ai nuk ka konsumuar vepër penale dhe e shpalli atë të pafajshëm.