GJKKO pezullon nga detyra prefekten e qarkut të Fierit dhe ish-kryetaren e bashkisë Patos, Rajmonda Balilaj


GJKKO firmos pezullimin nga detyra të prefektes së qarkut të Fierit, ish kryetaren e bashkië së Patosit Rajmonda Balilaj.

Byroja e hetimit ka ekzekutuar vendimet ndaj gjashtë të hetuarve, për një nga të hetuarit nuk është bërë i mundur ekzekutimi pasi ndodhet jashtë shtetit.
Faktet penale të hetuara në kuadër të këtij procedimi penal, kanë të bëjnë me dy procedura prokurimi të organizuara në vitin 2021, nga Bashkia Patos, si Autoritet Kontraktor

Njoftimi:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal Nr. 82, të vitit 2021, për veprat penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 e 25 i Kodit Penal (para ndryshimeve sipas ligjit nr. 43/2021) dhe “Falsifikimi i dokumentave”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr. 19,  datë 08.03.2024, ka vendosur:

1.     Caktimin e masës ndaluese të sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim R.B., me detyrë ish Kryetare e Bashkisë Patos, aktualisht Prefekte e Qarkut Fier, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim (2 herë), parashikuar nga neni 258 e 25, i Kodit Penal (para ndryshimeve sipas ligjit nr. 43/2021).

2.     Caktimin e masës ndaluese të sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Sh.B., në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, aktualisht me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Patos, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim (2 herë), parashikuar nga neni 258 e 25 i Kodit Penal (para ndryshimeve sipas ligjit nr. 43/2021).