GJKKO i rrëzon një tjetër kërkesë bashkëshortes së Erion Veliajt, nuk pranohet ankimimi për kontrollin në ‘Sky Tower’
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka rrëzuar një tjetër kërkesë të Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit.
Xoxa kishte ankimuar kontrollet e kryera nga BKH në zyrën e saj në Apartamentin 11/4 në ‘Sky Tower’, të cilën pala mbrojtëse e cilëson si magazinë. Gjykata nuk e ka pranuar këtë ankim, duke e lënë në fuqi vendimin e mëparshëm.
Një ditë më parë, edhe Apeli i GJKKO rrëzoi kërkesën e Xoxës për sekuestrimin e celularit të saj. Ajo kishte ankimuar vendimin e datës 20 dhjetor 2024, por gjyqtari Engert Pëllumbi e hodhi poshtë këtë pretendim gjatë seancës. Kjo çështje u shqyrtua nga Pëllumbi pas mungesës së gjyqtares Iliriana Olldashi, e cila paraqiti raport për paaftësi të përkohshme në punë.