GJKKO i përgjigjet kryebashkiakut Veliaj për akuzat e ngritura ndaj prokurorit Dado
GJKKO i është përgjigjur statusit të kryebashkiakut, Erion Veliaj, ku ky i fundit kishte “zbuluar” pjesë nga seanca gjyqësore e datës 12 shkurt.
Sipas Veliaj, prokurori, Olsi Dado kishte përdorur fjalor fyes kundrejt tij, por duke iu referuar njoftimit të GJKKO diçka e tillë nuk ka ndodhur.
REAGIMI I GJKKO:
Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj, duke paraqitur dhe kërkesa për informacion, në bazë të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, në lidhje me vërtetësinë e pjesës së procesverbalit të seancës gjyqësore, të datës 12.02.2025, të publikuar ditën e sotme nga personi nën hetim Erion Veliaj, në rrjetin e tij social në “Facebook”, ju bëjmë me dije se nuk është i vërtetë. Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment.