GJKKO e la në qeli, Ilir Meta reagon nga burgu: Nuk ka fuqi që mbyt të vërtetat!

Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Përmes një postimi në Facebook nga qelia, Meta e cilësoi vendimin si një akt të diktuar politikisht dhe paralajmëroi se do të vazhdojë betejën ligjore dhe publike për të provuar pafajësinë.

“Nuk ka fuqi që i mbyt të vërtetat e Ilir Metës dhe kauzat e Partisë së Lirisë”, shkruan Meta në reagimin e tij, duke akuzuar drejtësinë shqiptare si të kapur nga politika. Ai thekson se do të vazhdojë luftën në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe në opinionin publik, duke ngritur tone të ashpra ndaj SPAK dhe mazhorancës.

“Askush të mos çuditet nga një drejtësi me regji, ku SPAK përgjon gjykatat dhe ku akuzat formulohen në tribunat e Rilindjes,” vijon ai.

Meta ka njoftuar gjithashtu se Partia e Lirisë do të mbajë sot, në orën 17:30, një deklaratë për shtyp përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Tedi Blushi, ndërsa nesër në orën 11:00 do të zhvillohet një konferencë për mediat, ku Meta do të përgjigjet në mënyrë të drejtpërdrejtë nëpërmjet telefonit nga burgu ndaj pyetjeve të gazetarëve.