GJKKO dënon me burg ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro – I konfiskohen 10 mijë metra tokë në Dhërmi

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtor ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, duke e dënuar me 2 vite e 20 ditë burg për shpërdorim detyre në bashkëpunim.

Gjithashtu, GJKKO ka vendosur konfiskimin e dy pronave, me një sipërfaqe totale prej 10 mijë metra katrorë në zonën e Dhërmiut, që do të kalonin për investime strategjike. Këto prona tashmë do të kalojnë në favor të shtetit.

Ndërkohë, apartamenti i sekuestruar në kuadër të hetimeve do t’i kthehet shtetasit Gentian Sula.

Akuzat ndaj Jorgo Goros

Ish-kryebashkiaku i Himarës ndodhet në burg që nga mars 2024, pasi SPAK e akuzon për shpërdorim detyre dhe bashkëpunim me zyrtarë të Kadastrës për të falsifikuar dokumente dhe për të kaluar prona shtetërore në duart e privatëve.

Sipas hetimeve, këto prona janë përfituar nga një shoqëri e Artan Gaçit, bashkëshortit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili më pas ka marrë statusin e investitorit strategjik.

Të dënuarit e tjerë në këtë çështje

Në këtë aferë janë përfshirë edhe dy ish-drejtorë të Bashkisë Himarë:

• Vasillaq Strakosha, ish-Drejtor i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, i dënuar për shpërdorim detyre.

• Jerasimo Bashi, ish-Drejtor i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, i dënuar për shpërdorim detyre të kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim.

Sipas hetimeve të SPAK, Goro dhe vartësit e tij kanë shkelur ligjin mbi kalimin e tokave bujqësore, duke dëmtuar interesat e disa banorëve të Himarës.

Ky vendim konsiderohet një tjetër goditje e SPAK ndaj korrupsionit në nivele të larta, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë ankesë në Apel nga pala mbrojtëse e të dënuarve.