GJKKO dënon me 32 vite burg 4 anëtarët e grupit të Jetmir Kastratit. “përmbytën” me kokainë Danimarkën dhe vendet e Beneluksit

Gjykata e Posaçme, GJKKO ka dënuar me 32 vite në total 4 anëtarët e grupit që drejtohej nga Jetmir Kastrati, nën akuzë për trafikim të narkotikëve në disa vende të Bashkimit Europian.

Bëhet fjalë për Klajdi Dervishi alias Klajdi Pelinku, alias Bruno Pavoti, Arteid Musallari, Eltion Dani dhe Nikolin Noku alias Nikolin Martini, alias Nike/Nik Martini të cilët do vuajnë 8 vite heqje lirie.

Të gjithë u dënuan me nga 12 vite secili por përfituan zbritjen me 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ndërkohë çështja është veçuar për shtetasin Zamir Hoxha i cili po gjykohet me procedurë të zakonshme.

SPAK thotë se ka provuar që gjatë viteve 2018-2019, të pandehurit në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që drejtohej në përbërje të të cilit ishin dhe shtetas të tjerë shqiptarë dhe të huaj, vepronin kryesisht në Danimarkë, Suedi, Holandë dhe Belgjikë, në trafikimin dhe përpunimin e kokainës dhe kanabisit dhe me shpërndarjen e tyre.

Në Danimarkë janë arrestuar, dërguar për gjykim dhe janë dënuar nga Gjykata e Kopenhagen anëtarët kryesorë të grupit më në krye Jetmir Kastratin.

Ndërkohë në Shqipëri janë dënuar me burgim shtetasit Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasniçi), Astrit Beqiri dhe Dhimitër Shkodrani për “Pastrim parash, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.