Gjithçka e hapur në Superligë, faza e katërt vendimtare për të kapur objektivat

Garë e fortë në Superligën shqiptare.

Elita e futbollit tonë ka luajtur deri më tani 3 fazat e saj, për ta shndërruar raundin e fundit në një rivalitet të madh objektivash. Partizani dhe Tirana janë në garë për titullin kampion. Skuadrat e kryeqytetit kanë ecuri të ngjashme pas 27 javësh, duke numëruar 47 pikë, me 14 fitore, 5 barazime dhe 8 humbje.

Një baraspeshë totale mes tyre, me diferencën që vjen për shkak të ndeshjeve direkte, me Partizanin që ka fituar dy dhe Tirana një. Përballja e fundit me dy skuadrave mund të jetë përcaktuese për fatin e titullit në këtë sezon që duket shumë i balancuar. Egnatia duket më pranë vendit të fundit në Kupat e Europës përmes kampionatit.

Rrogozhinasit numërojnë 6 pikë më pak se dy skuadrat e kryeqytetit, teksa kanë 3 pikë më shumë se ndjekësi më i afërt, Vllaznia. Shkodranët mund të konsiderohen edhe skuadra që rrezikon pozitat e Egnatias, pasi diferencat janë të pakta në renditje.

Garë e fortë do të jetë për mesin e tabelës dhe rënien nga kategoria. Nga Erzeni i vendit të 5-të dhe Laçi i zonës play-out janë vetëm 4 pikë hendek, që mund të mbyllen duke parë se deri në fund kanë mbetur edhe 9 ndeshje. Madje, me një total prej 27 pikësh në dispozicion, Erzeni, Kukësi, Teuta dhe Laçi mund të kërcënojnë edhe biletën e fundit për në kompeticionet ndërkombëtare.

Bylis dhe Kastriotin i presin 9 finale për të shmangur rënien. Dy ekipet kanë treguar limite në fushën e lojës, duke u pozicionuar në dy vendet që të zbresin një kategori më poshtë në fund të sezonit.

Ballshiotët numërojnë 5 pikë më pak se zona e shpëtimit, teksa krutanët janë të distancuar me 7 pikë nga Teuta, që për momentin shmang edhe finalet për të mbijetuar me skuadrën e tretë më të mirë të Kategorisë së Parë.