Gjirokastër/ Bashkia akordon ndihmë financiare për familjen e 17-vjeçares që i dha fund jetës

Pas ngjarjes tragjike në Gjirokastër, ku një 17-vjeçare dyshohet se i dha fund jetës për shkak të bullizimit që pësonte për gjendjen e saj ekonomike, Bashkia e qytetit ka vendosur t’i akordojë familjes një ndihmë financiare prej 300 mijë lekësh (të vjetra).

Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje jashtë radhe të Këshillit Bashkiak, ku anëtarët votuan unanimisht në mbështetje të familjes së vajzës. Gjatë mbledhjes, këshilltarët mbajtën një minutë heshtje në shenjë respekti për adoleshenten.

Ky akt vjen si shenjë solidariteti me familjen e saj dhe për të njohur situatën e vështirë që po kalojnë. Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet që mund ta kenë çuar të renë drejt këtij akti ekstrem.

Ngjarja ka ngritur shqetësime të reja mbi bullizimin dhe nevojën për mbështetje më të madhe psikologjike për të rinjtë në shkolla.