Gjiknuri në Krastë: Elbasani nuk ka nevojë të bëjë eksperiment politik
“Më 14 maj konfirmoni vazhdimësinë e zhvillimit në Elbasan”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri në një takim me banorë të zonës së Krastës ku bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja prezantuan projektet për 4 vitet e ardhshme.
Gjiknuri nënvizoi se fitorja e zgjedhjeve çimenton marrëdhënien bashki- qeveri për t’i çuar përpara këto punë. “Në fakt në këtë komunikim për zgjedhjet e 14 Majit ne duhet të kemi të qarta mesazhet politike që duam të përçojmë. Më 14 Maj nuk është çështja vetëm Gledi, që patjetër është kryetari i bashkisë dhe e meriton të jetë kryetari i bashkisë, por mbi të gjitha ju konfirmoni vazhdimësinë e zhvillimit në Elbasan. Që një kryetar bashkie këtu të ecë përpara dhe të ketë mundësinë e ndryshimit të Elbasanit duhet patjetër të ketë nga mbrapa mbështetjen e qeverisë shqiptare. Ndërhyrjet nëpër lagje, ndërhyrje që bëhen nëpër shumë zona që kanë nevojë të formalizohen më shumë, vijnë si rezultat, sepse një pjesë të mirë të projekteve kryesore i mbulon qeveria shqiptare. Ne më 14 Maj duhet ta çimentojmë këtë marrëdhënie bashki- qeveri për t’i çuar përpara këto punë”, tha ai.