Gjermania përgatitet për luftë: Plani gjigant i investimeve në ushtri dhe paralajmërimi për një sulm të mundshëm rus

Gjermania ka nisur një epokë të re ushtarake, duke lënë pas krahëve kufizimet historike dhe duke përgatitur investime masive në ushtri. BBC raporton se Bundeswehr ka marrë miratimin për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, pasi Parlamenti hoqi kufizimet financiare dhe rregullat e rrepta mbi borxhin.

Gjenerali i lartë gjerman, Carsten Breuer, ka paralajmëruar se Rusia përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe se NATO duhet të përgatitet për një sulm të mundshëm brenda katër viteve.

“Ne jemi të kërcënuar nga Rusia. Ne jemi të kërcënuar nga Putin. Duhet të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta penguar atë”, ka deklaruar ai për BBC. Sipas tij, përgatitjet duhet të bëhen sa më shpejt të jetë e mundur për të shmangur një skenar të rrezikshëm në Europë.

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka ndryshuar rrënjësisht qëndrimin e Gjermanisë ndaj fuqisë ushtarake. Historikisht, vendi ka shmangur përfshirjen në konflikte për shkak të rolit të tij si agresor në dy luftërat botërore.

“Ne filluam dy luftëra botërore. Edhe pse kanë kaluar 80 vjet nga Lufta e Dytë Botërore, ideja që gjermanët duhet të qëndrojnë jashtë konflikteve është ende e rrënjosur në shoqëri”, shprehet Markus Ziener nga Fondi Gjerman Marshall në Berlin.

Megjithatë, përballë agresionit rus, Gjermania po ndryshon strategjinë e saj mbrojtëse, duke investuar fuqishëm në modernizimin e ushtrisë dhe duke marrë një rol më aktiv në sigurinë e Europës.