Gjermania dhe Franca paralajmërojnë Vuçiçin: Evropa nuk do t’i njohë zgjedhjet nëse vidhen
Liderët e Gjermanisë dhe Francës kanë dërguar një mesazh të qartë për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, duke e paralajmëruar se Bashkimi Evropian nuk do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme në Serbi, nëse ato manipulohen. Lajmi është publikuar të martën nga e përditshmja serbe “Nova”, e cila citon burime diplomatike të afërta me zhvillimet.
Sipas këtyre burimeve, paralajmërimi i është përcjellë Vuçiçit përmes deputetëve të afërt me kancelarin gjerman Friedrich Merz, si dhe përmes bashkëpunëtorëve të presidentit francez Emmanuel Macron. Analistët thonë se ky zhvillim ngushton ndjeshëm hapësirat për manipulim elektoral, në një kohë kur presioni publik, i udhëhequr nga lëvizja e studentëve, po rritet ndjeshëm për të detyruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Një mesazh i qartë është dërguar nga disa vende të BE-së: nëse zgjedhjet në Serbi vidhen, Evropa nuk do t’i njohë rezultatet. Madje edhe nëse ekzistojnë interesa të caktuara strategjike, parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit nuk do të anashkalohen,” tha një burim diplomatik për “Nova”.
Në të njëjtën linjë paralajmërimesh, është përmendur edhe mundësia që Partia Popullore Evropiane të distancohet nga Partia Progresive Serbe (SNS), e cila drejtohet nga Vuçiç, nëse evidentohet ndërhyrje apo manipulim në procesin zgjedhor.
Burime të medias serbe bëjnë të ditur se edhe në Bruksel janë ngritur shqetësime të forta lidhur me tensionin mes parimeve evropiane dhe interesave pragmatike.
Këto të fundit përfshijnë marrëveshjet strategjike për shfrytëzimin e burimeve natyrore si litiumi, apo bashkëpunimet ushtarake, si ajo midis Serbisë dhe Francës për blerjen e avionëve luftarakë “Rafale”.