Gjendja e Papa Françeskut përkeqësohet/ Vatikani konfirmon shenja të insuficiencës së veshkave

Gjendja shëndetësore e Papa Françeskut vazhdon të jetë shqetësuese, sipas një deklarate të fundit nga Vatikani. Sipas raportimeve nga mediat e huaja, analizat e fundit të gjakut kanë treguar shenja të lehta të insuficiencës renale, ndërsa problemet me frymëmarrjen raportohet se janë stabilizuar.

Në deklaratë thuhet se disa analiza kanë zbuluar një insuficiencë të lehtë të veshkave, e cila aktualisht është nën kontroll nga mjekët. Pavarësisht kësaj gjendjeje të rënduar, Papa ka marrë pjesë në meshën e shenjtë nga dhoma e tij në katin e 10-të të spitalit Gemelli mëngjesin e së dielës.

Më herët, autoritetet e Vatikanit kishin bërë të ditur se Papa kishte marrë flukse të larta oksigjeni për shkak të një krize të frymëmarrjes, por kishte kaluar një natë të qetë në spital. Ai pritet të qëndrojë në spital për një periudhë të pacaktuar pas diagnozës së pneumonisë në të dy mushkëritë.

Papa Françesku, 88 vjeç, falënderoi stafin mjekësor për përkushtimin e tyre dhe deklaroi se trajtimi po vazhdon. Në fillim të javës, shenja të lehta përmirësimi ishin raportuar nga Vatikani, ndërsa të enjten u bë e ditur se ai po i përgjigjej pozitivisht trajtimit.

Papa u shtrua në klinikën e Romës më 14 shkurt, fillimisht për ekzaminime që synonin të identifikonin një infeksion të traktit respirator. Më pas, analizat konfirmuan një pneumoni të dyanshme.

Kjo nuk është hera e parë që Papa Françesku përballet me probleme të frymëmarrjes. Ai ka një histori të hershme shëndetësore që përfshin një pneumoni të rëndë në të kaluarën, e cila çoi në heqjen e një pjese të mushkërisë. Në vitin 2023, ai u shtrua në spital për shkak të bronkitit, dhe gjatë muajve të fundit ka pësuar dy rrëzime që i shkaktuan lëndime në fytyrë dhe në dorë.

Gjendja e tij vazhdon të jetë nën monitorim të rreptë, ndërsa Vatikani pritet të japë përditësime të mëtejshme mbi ecurinë e shëndetit të tij.