Gjendet kutia e zezë e helikopterit të ushtrisë amerikane që u përplas me avionin e pasagjerëve – 41 trupa të pajetë të gjetur deri tani

Një ngjarje e rëndë ajrore ka tronditur Shtetet e Bashkuara, pasi një helikopter i ushtrisë amerikane u përplas me një avion pasagjerësh në aeroportin e kryeqytetit, të mërkurën në mbrëmje. Hetuesit kanë arritur të gjejnë kutinë e zezë të helikopterit, ndërsa janë duke analizuar të dhënat e fluturimit për të kuptuar shkaqet e kësaj tragjedie që ka marrë jetën e 67 personave.

Ekipet e kërkimit dhe shpëtimit kanë gjetur trupat e 41 viktimave, ndërsa operacioni po vazhdon në lumin Potomak për të kërkuar të mbijetuar ose viktima të tjera. Ky është një nga aksidentet ajrore më të rënda në thuajse një çerek shekulli në SHBA, dhe autoritetet janë të angazhuara maksimalisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Shefi i Departamentit të Zjarrfikëses, John Donnelly Sr., konfirmoi të premten gjetjen e trupave dhe shtoi se operacioni i kërkimit do të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë të situatës. Ndërkohë, aeroporti “Ronald Reagan” ka rifilluar operacionet, megjithëse dy nga tre pistat mbeten të mbyllura për shkak të hetimeve.

Presidenti Donald Trump reagoi për ngjarjen, duke theksuar se helikopteri “Black Hawk” po fluturonte mbi lartësinë e lejuar prej 61 metrash në momentin e përplasjes. “Kjo nuk është shumë e vështirë për t’u kuptuar, apo jo,” shkroi ai në një postim në rrjetin Truth Social.

Autoritetet pritet të japin më shumë detaje në vijim ndërsa hetimet intensifikohen për të kuptuar shkaqet e këtij aksidenti tragjik.