Gjendet arma me të cilën dyshohet se tentoi të vetëvritej 17-vjeçarja në Vlorë, ishte fshehur…

Policia e Vlorës ka bërë të mundur sekuestrimin e armës së zjarrit që dyshohet se u përdor nga 17-vjeçarja në ngjarjen e rëndë të ndodhur më 14 korrik në lagjen “Kushtrimi”.

Adoleshentja mbeti e plagosur rëndë pasi dyshohet se tentoi të vetëvritej me armë zjarri. Pas disa ditësh hetimesh, në vijim të veprimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, u bë e mundur gjetja e armës, një pistoletë, e cila ishte hedhur në një vend grumbullimi materialesh të ndryshme shtëpiake, pranë banesës së gjyshërve të saj.

Pistoleta ndodhej e mbështjellë brenda një qeseje plastike, e maskuar mes sendeve të tjera, për të shmangur zbulimin nga autoritetet.

Arma është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe do t’i dërgohet Institutit të Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme balistike, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e saktë të autorësisë.

Materialet hetimore shtesë i janë referuar tashmë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.