Gjenden pas 26 vitesh trupat e 11 të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, Kurti: Serbia i rrëmbeu dhe groposi në varreza masive
Pas 26 vitesh pritjeje dhe ankthi për familjarët, në një varr masiv në Bishtazhin janë gjetur dhe identifikuar trupat e 11 qytetarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti ka ndarë lajmin në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë si një dëshmi tjetër të krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës së vitit 1999.
Sipas Kurtit, viktimat ishin rrëmbyer nga forcat serbe pas masakrës në Kralan dhe më pas ishin mbajtur nën tortura për dy ditë, pa ujë dhe ushqim. Më 4 prill 1999, nga 86 burra dhe djem të ndaluar, 11 ishin të mitur dhe që nga ajo ditë nuk ishin parë më të gjallë. Disa nga trupat ishin gjetur më parë në afërsi të liqenit Peruqac në Serbi, ndërsa të tjerët u zhvarrosën nga Bishtazhini, por më pas u rrëmbyen nga Serbia.
Në varrin masiv të zbuluar në Bishtazhin janë identifikuar këta persona:
• Adem Gashi
• Sahit Gashi
• Bekim Hasani
• Sheremet Ismajli
• Mentor Myrtaj
• Osman Fejza
• Shkelzen Hajdaraj
• Bekim Gashi
• Sabedin Kryeziu
• Mentor Kryeziu
• Vehbi Halilaj
Kurti theksoi se këto zhdukje të dhunshme janë një dëshmi e gjenocidit të kryer nga Serbia dhe se plagët e luftës mbeten ende të hapura për familjarët dhe mbarë popullin e Kosovës. Ai shprehu solidaritetin e tij me familjet e viktimave dhe tha se betejat për të vërtetën dhe drejtësinë do të vazhdojnë.
“Jemi pranë familjeve me gjithë përkrahjen e mundshme në këtë rrugëtim të vështirë të dhembjes dhe kujtesës. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të dashurit tanë që sakrifikuan jetën për lirinë që ne e gëzojmë. Lavdi!” – u shpreh Kurti.