Gjenden 3 mijë litra karburant në ishullin e Sazanit, dyshohet për trafik droge me Italinë! Policia nis hetimet për 4 persona
Policia kufitare e Vlorës ka parandaluar një rast të dyshuar të trafikut të lëndëve narkotike drejt Italisë. Pas informacioneve për një mjet të dyshuar që mund të kryente lëvizje të kundërligjshme, uniformat blu nisën kontrolle të imtësishme në zonë.
Gjatë operacionit, policia gjeti mbi 3 mijë litra karburant në ishullin e Sazanit, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për furnizimin e një mjeti ujor të përfshirë në trafik droge. Pasi u pikas lënda, autoritetet kufitare thirrën të gjithë drejtuesit e mjeteve ujore për raportimin e vendndodhjes së tyre, duke e vendosur në një regjistrim që kishte munguar prej vitesh.
Pavarësisht se mjeti i dyshuar nuk u kap, dhe rasti mbeti në tentativë, policia ka nisur hetimet për identifikimin e personave që çuan karburantin në ishull dhe motivin e këtij veprimi. Katër persona janë vënë nën hetim lidhur me këtë rast.
Sipas burimeve nga policia, ngjarja ka ndodhur katër ditë më parë dhe operacioni për të zbuluar autorët vijon.