Giorgia Meloni në Arabinë Saudite/ Nënshkruhen marrëveshje strategjike me vlerë 10 miliardë dollarë
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, ku u takua me Princin dhe Kryeministrin Mohammed Bin Salman. Takimi, i cili u mbajt në zonën shkretinore të Al Ula-s, rezultoi në nënshkrimin e një deklarate të përbashkët për bashkëpunim strategjik mes dy vendeve.
Meloni njoftoi se gjatë vizitës u nënshkruan marrëveshje me vlerë totale rreth 10 miliardë dollarë, duke përfshirë sektorë të rëndësishëm si infrastruktura, energjia, mbrojtja, sporti, argëtimi dhe turizmi.
“Marrëveshjet e nënshkruara sot krijojnë platforma për të hapur mundësi të reja bashkëpunimi. Marrëdhënia mes Italisë dhe Arabisë Saudite ka ende hapësirë të madhe për zhvillim dhe kjo i shërben interesit të përbashkët të të dy vendeve,” tha Meloni.
Gjatë takimit, liderët diskutuan edhe çështje të rëndësishme globale, përfshirë:
• Një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë
• Forcimin e armëpushimit në Gaza
• Rindërtimin e Sirisë
• Mbështetjen e Libanit
Kjo vizitë dhe marrëveshjet e arritura pritet të forcojnë më tej marrëdhëniet ekonomike dhe politike midis Italisë dhe Arabisë Saudite, duke i dhënë një shtysë të re bashkëpunimit në fusha strategjike.